Përfitimet e Vajit Esencial të Sherebelës Sclarea për dhimbjet menstruale, balancimin hormonal dhe të tjera…
Përfitimet e Vajit Esencial të Sherebelës Sclarea për dhimbjet menstruale, balancimin hormonal dhe të tjera…
Sherebela Sclarea (Clary Sage) ka një histori të gjatë si një bar medicinal. Është një bimë shumëvjeçare nga familja Salvi dhe emri i saj shkencor është Salvia Sclarea. Konsiderohet si një nga vajrat kryesorë për hormonet, veçanërisht tek gratë.
Janë bërë shumë studime në lidhje me përfitimet e saj për spazmat, dhimbjet menstruale, afshet dhe çekuilibrimin hormonal. Është e njohur gjithashtu për aftësinë e saj për të rritur qarkullimin e gjakut, për të përmirësuar sistemin e tretjes, shëndetin e syve dhe për të luftuar leuçeminë.
Sherebela Sclarea është një nga vajrat më të shëndetshëm, me veti antikonvulsive, antidepresive, antifungale, anti-infektive, antiseptike, antispasmodike, astringente dhe anti-inflamatore. Është gjithashtu një tonik nervor dhe qetësues i fuqishëm.
Çfarë është Sherebela Sclarea (Clary Sage)?
Sherebela Sclarea e ka emrin nga fjala latine “clarus”, që do të thotë “e qartë”. Është një bimë shumëvjeçare që rritet nga maji deri në shtator në Mesdheun verior, si dhe në disa zona në Afrikën e Veriut dhe Azinë Qendrore.
Bima arrin 1-1.5 m lartësi dhe ka kërcell të trashë katror të mbuluar me push. Lulet shumëngjyrëshe, duke filluar nga ngjyrë jargavani deri në vjollcë, lulëzojnë me tufa.
Përbërësit kryesorë të vajit esencial të sherebelës janë sklareoli, alfa terpineoli, geranioli, acetati linalil, linalooli, kariofilina, acetati neril dhe germacrena-D; ka përqendrime të larta të estereve me rreth 72%.
Përfitimet shëndetësore
- Lehtëson problemet menstruale
Sherebela Sclarea ndihmon në rregullimin e ciklit menstrual duke ekuilibruar natyrshëm nivelet e hormoneve dhe stimuluar hapjen e një sistemi të bllokuar. Ajo ka fuqinë për të trajtuar simptomat e PMS (Sindroma Post Menstruale) gjithashtu, duke përfshirë fryrjen e barkut, ngërçet, ndryshimet e humorit dhe dëshirat për ushqim.
Ky vaj esencial është gjithashtu antispasmodik, që do të thotë se trajton spazmat dhe çështjet e lidhura me të, siç janë ngërçet e muskujve, dhimbjet e kokës dhe dhimbjet e stomakut. E bën këtë duke relaksuar impulset nervore që nuk mund t’i kontrollojmë.
Një studim interesant i bërë në Universitetin Oxford Brooks në Mbretërinë e Bashkuar analizoi ndikimin që aromaterapia ka tek gratë në punë. Studimi u zhvillua për një periudhë 8-vjeçare dhe përfshiu 8,058 gra.
Provat nga ky studim sugjerojnë se Aromaterapia mund të jetë efektive në uljen e ankthit, frikës dhe dhimbjes së nënës gjatë lindjes. Nga 10 vajrat esencialë që u përdorën gjatë lindjes, vaji i i sherebelës sclarea dhe vaji i kamomilit ishin më të efektshmit në lehtësimin e dhimbjeve.
Një studim tjetër i vitit 2012, mati efektet e aromaterapisë si një qetësues i dhimbjeve gjatë ciklit menstrual të vajzave të shkollës së mesme. U trajtua një grup me masazh aromaterapie dhe një grup me acetaminofen (kundër dhimbjeve dhe temperaturës). Masazhi i aromaterapisë u krye në subjektet në grupin e trajtimit, me barkun që masazhohej një herë duke përdorur vajra të sherebelës, manxuranës, kanellës, xhenxhefilit dhe barbarozës në një bazë vaji bajame.
Niveli i dhimbjes menstruale u vlerësua 24 orë më vonë. Rezultatet zbuluan se zvogëlimi i dhimbjes menstruale ishte dukshëm më i lartë në grupin e aromaterapisë sesa në grupin e acetaminofenit.
- Ndihmon Balancimin Hormonal
Sherebela Sclarea ndikon në hormonet e trupit pasi përmban fitoestrogjene natyrale, të cilët referohen si “estrogjene dietike” që rrjedhin nga bimët dhe jo brenda sistemit endokrin. Këto fitoestrogjene i japin sherebelës aftësinë për të shkaktuar efekte estrogjenike. Ky vaj rregullon nivelet e estrogjenit dhe siguron shëndetin afatgjatë të mitrës – duke zvogëluar shanset e kancerit të mitrës dhe vezoreve.
Shumë probleme shëndetësore sot, madje edhe gjëra të tilla si infertiliteti, sindroma e vezoreve policistike dhe kanceret me bazë estrogjeni, shkaktohen nga estrogjeni i tepërt në trup – pjesërisht për shkak të konsumit të ushqimeve me estrogjen të lartë. Meqenëse sherebela sclarea ndihmon në ekuilibrimin e këtyre niveleve të estrogjenit, konsiderohet një vaj esencial tepër i efektshëm.
Një studim i vitit 2014 i botuar në Journal of Phytotherapy Research zbuloi se thithja e vajit të sherebelës ka aftësinë të zvogëlojë nivelet e kortizolit me 36 përqind dhe të përmirësojë nivelet e hormoneve tiroide. Studimi është bërë në 22 gra pas menopauzës në të 50-at e tyre, disa prej të cilave u diagnostikuan me depresion.
Në fund të provës, studiuesit deklaruan se “vaji i Sherebela Sclarea kishte një efekt statistikisht të rëndësishëm në uljen e kortizolit dhe kishte një efekt anti-depresiv duke përmirësuar gjendjen e humorit”.
- Lehtëson pagjumësinë
Njerëzit që vuajnë nga pagjumësia mund të gjejnë lehtësim me vajin e sherebelës sclarea. Është një qetësues natyral dhe jep ndjenjën e qetë dhe paqësore, që është e nevojshme për një gjumë të qetë. Kur nuk mund të flini, zakonisht zgjoheni duke u ndierë jo i freskët dhe i shplodhur, gjë që dëmton aftësinë tuaj për të funksionuar në mënyrë optimale gjatë ditës. Pagjumësia ndikon jo vetëm në nivelin tuaj të energjisë dhe gjendjen shpirtërore, por edhe në shëndetin tuaj, performancën e punës dhe cilësinë e jetës.
Dy shkaqe kryesore të pagjumësisë janë stresi dhe ndryshimet hormonale. Një vaj esencial krejt natyral mund të përmirësojë pagjumësinë pa ilaçe, duke lehtësuar ndjenjën e stresit dhe ankthit, dhe duke ekuilibruar nivelet e hormoneve.
Një studim i vitit 2017 i botuar në Evidence-Based Complementary and Alternative Medicine tregoi bazuar në prova, se aplikimi i një vaji masazhi duke përfshirë vaj livandoje, qitroje, neroli dhe sherebele në lëkurë, është efektiv për të përmirësuar cilësinë e gjumit.
- Përmirëson qarkullimin e gjakut
Sherebela Sclarea zgjeron enët e gjakut dhe lejon rritjen e qarkullimit të gjakut; gjithashtu ul natyrshëm presionin e gjakut duke relaksuar trurin dhe arteriet. Kjo rrit performancën e sistemit metabolik duke rritur sasinë e oksigjenit që futet në muskuj dhe duke stimuluar funksionin e tyre.
Një studim i bërë në Departamentin e Shkencës së Infermierisë në Republikën e Koresë, mati aftësinë e vajit të Sherebela Sclarea për të ulur presionin e gjakut në gratë me mosmbajtjeje urinare ose urinim të pavullnetshëm. Tridhjetë e katër gra morën pjesë në studim të ndara në grupe, dhe atyre iu dha ose vaj esencial sherebele sclarea, vaj livandoje ose vaj bajame (për grupin e kontrollit); atëherë ato u matën pas thithjes së këtyre aromave për 60 minuta.
Rezultatet treguan se grupi i vajit të sherebelës përjetoi një rënie të ndjeshme të presionit të gjakut sistolik krahasuar me grupet e kontrollit të vajit të livandos, një rënie të ndjeshme të presionit të gjakut diastolik krahasuar me grupin e vajit të livandos dhe një rënie të ndjeshme të ritmit të frymëmarrjes krahasuar me grupin e kontrollit.
Të dhënat sugjerojnë që thithja e vajit esencial të sherebelës sclarea mund të jetë e dobishme në nxitjen e relaksimit tek femrat me mosmbajtjeje urinare, veçanërisht pasi ato i nënshtrohen vlerësimeve.
- Përmirëson shëndetin kardiovaskular
Karakteristikat antioksiduese dhe anti-inflamatore të vajit të sherebelës sclarea janë kardio-protektive dhe mund të ndihmojnë në uljen e kolesterolit natyrshëm. Ky vaj, gjithashtu zvogëlon stresin emocional dhe përmirëson qarkullimin – dy faktorë shumë të rëndësishëm për zvogëlimin e kolesterolit dhe mbështetjen e sistemit tuaj kardiovaskular.
Një provë e rastësore dhe e kontrolluar dyfish, ku u përfshinë në 34 paciente femra, tregoi se Sherebela Sclarea uli ndjeshëm presionin e gjakut sistolik në krahasim me grupet e vajit të placebo dhe vajit të livandës, dhe uli presionin e gjakut diastolik dhe shkallën e frymëmarrjes në mënyrë të konsiderueshme gjithashtu. Pjesëmarrësit thjesht thithën vaj esencial sherebele të pastër dhe nivelet e presionit të tyre të gjakut u matën 60 minuta pas thithjes.
- Punon si qetësues i stresit
Sherebela Sclarea shërben si antidepresant dhe si një nga barnat më të mira natyrore për ankthin; rrit besimin dhe forcën mendore duke lehtësuar ndjenjat e ankthit dhe dështimit. Ajo gjithashtu ka veti euforike, duke ju lënë një ndjenjë gëzimi dhe lehtësie.
Një studim i vitit 2010 i kryer në Korenë e Jugut zbuloi se vaji i sherebelës sclarea mund të përdoret si një agjent terapeutik për pacientët me depresion. Për studimin, vetitë antidepresive u matën te minjtë me një provë noti të detyruar; vaji i sherebelës kishte efektin më të fortë anti-stresues.
- Lufton Leuçeminë
Një studim premtues i kryer në Departamentin e Imunologjisë, Instituti Helenik Antikancer në Athinë, ekzaminoi rolin që luan sklareoli, një përbërje kimike në vajin e sherebelës, në luftimin e leuçemisë. Rezultatet treguan se sklareoli është në gjendje të shkatërrojë linjat qelizore përmes procesit të apoptozës.
Apoptoza (Apoptosis) është procesi i vdekjes së programuar të qelizave; kërkimet që përfshijnë rolin e apoptozës janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i viteve 1990. Një sasi e pamjaftueshme e apoptozës rezulton në përhapje të pakontrolluar të qelizave kanceroze.
- Vret bakteret dhe infeksionet
Sherebela Sclarea frenon rritjen dhe përhapjen e infeksioneve bakteriale dhe kërpudhore; gjithashtu mund të ndalojë sjelljen e rrezikshme të baktereve që hyjnë në trupin tonë përmes ujit ose ushqimit. Këto veti antibakteriale mbrojnë zorrën e trashë, zorrët, traktin urinar dhe sistemin sekretues.
Ky vaj i fuqishëm është gjithashtu antiseptik, kështu që plagët nuk do të infektohen me mikrobe kur vendosni këtë vaj esencial në to. Kjo veti e dobishme do të mbrojë plagët dhe do të shërojë prerjet dhe do të ndihmojë trupin tuaj të shërohet shpejt.
Një studim i vitit 2015 i botuar në revistën Postepy Dermatol Alergol zbuloi se vaji esencial i sherebela sclarea mund të aplikohet për të ndihmuar në trajtimin e plagëve dhe infeksioneve të lëkurës për shkak të vetive të tij antimikrobike. Rezultatet treguan se vaji esencial ka aktivitet të fortë antistafilokoksik kundër shtameve klinike të izoluara nga infeksionet e plagës – vaji ishte aktiv kundër shtameve, përfshirë Staphylococcus aureus, S. epidermidis dhe S. xylosus.
- Promovon shëndetin e lëkurës
Ekziston një përbërës i rëndësishëm në vajin e sherebelës, i quajtur acetat linalyl, i cili është një fitokimik natyral që gjendet në shumë lule dhe bimë erëza. Ky përbërës zvogëlon inflamacionin e lëkurës dhe punon si një medikament natyral për skuqjet; rregullon gjithashtu prodhimin e yndyrës në lëkurë.
Vaji i sherebelës sclarea vepron në mënyrë të ngjashme me vajin e jojoba-s në këtë drejtim, kështu që kombinimi i të dyjave bën një krem hidratues perfekt të lëkurës për gjatë gjithë ditës.
- Ndihmon tretjen
Sistemi i tretjes është themeli i shëndetit të mirë. Ky sistem i mahnitshëm përfshin një kombinim të nervave, hormoneve, baktereve, gjakut dhe organeve që punojnë së bashku për të përfunduar detyrën e ndërlikuar të tretjes së ushqimeve dhe lëngjeve që ne konsumojmë çdo ditë.
Vaji i sherebelës sclarea rekomandohet për të rritur sekretimin e lëngjeve të stomakut dhe tëmthit, i cili përshpejton dhe lehtëson procesin e tretjes. Duke lehtësuar simptomat e dispepsisë, minimizon ngërçet, fryrjen e barkut dhe shqetësimet në bark.
Ky vaj esencial i fuqishëm mund të funksionojë gjithashtu për të parandaluar çrregullimet e stomakut dhe ndihmon trupin të thithë vitaminat dhe mineralet shumë të nevojshme që konsumohen gjatë gjithë ditës. Rekomandohet për të rregulluar lëvizshmërinë e zorrëve, për të lehtësuar kapsllëkun dhe për të ndihmuar në shërimin e simptomave të ulçerës dhe plagëve në stomak.
Ku mund ta gjejmë Vajin Esencial të Sherebelës Sclarea?
Vajin esencial të sherebelës mund ta gjeni në dyqane të specializuara që shesin produkte organike. Kujdes: në treg mund të gjeni ngado vajra që reklamohen për të pastër, por që janë me aromatizues sintetikë. Mos harroni kur bëni një blerje, ju duhet të jeni të sigurtë që po merrni vaj për 100% të pastër dhe nuk ka ndonjë mbushës ose nënprodukt të shtuar. Shikoni për një etiketë që thotë se është nga gjinia salvia sclarea, i çertifikuar Bio-Organik dhe të prodhuara nga kompani të njohura.
Sapo të merrni shishen në shtëpi, filloni të bëni përzierjet tuaja për të krijuar kombinimet më të dobishme.
Vaji i sherebelës Sclarea bashkohet mirë me vajrat e portokallit, mandarinës, limonit, qitros, si dhe vajrat e livandos, selvisë, temjanit, barbarozës, trëndafilit, vetiverit dhe drurit të sandalit.
Përdorimi
- Për lehtësimin e stresit dhe aromaterapi, shpërndani ose thithni 2-3 pika vaj esencial të sherebelës.
- Për të përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe dhimbjet e kyçeve, shtoni 3-5 pika vaj esencial në ujë të ngrohtë në vaskë, bidè ose legen dhe zhysni kyçet në të. Provoni të kombinoni vajin esencial me kripë epsom dhe sodë buke për të bërë kripërat tuaja shëruese të banjës.
- Për kujdesin e syve, shtoni 2-3 pika vaj esencial në një pecetë të pastër dhe të ngrohtë; vendoseni pecetën mbi të dy sytë e mbyllyr për 10 minuta.
- Për ngërçet dhe lehtësimin e dhimbjeve, krijoni një vaj masazhi duke holluar 5 pika vaj sherebele me 5 pika vaj bartës (si jojoba ose vaj kokosi) dhe aplikojeni atë në zonat e nevojshme.
- Për kujdesin e lëkurës, krijoni një përzierje të vajit të sherebelës sclarea dhe një vaj bartës (si kokosi ose jojoba) në një raport 1: 1. Vendoseni përzierjen direkt në fytyrën, qafën dhe trupin tuaj.
- Për përdorim të brendshëm, duhet të përdoren VETËM marka vaji me cilësi shumë të lartë dhe të çertifikuara Bio-Organikë për përdorim ushqimor. Shtoni një pikë vaji në ujë ose merreni si shtesë dietike; përzieni vajin me mjaltë ose një smoothie.
- Për të lehtësuar tretjen, masazhoni barkun me pjesë të barabarta të vajit të sherebelës sclarea dhe një vaj mbajtës, ose përdorni një kompresë të nxehtë me 3-5 pika të vajit esencial.
- Për të përmirësuar lutjet ose meditimin, përzieni 6 pika vaj esencial sherebele sclarea me 2 pika temjani ose portokalli. Shtoni përzierjen në një shpërndarës ose ndezës vaji.
- Për të lehtësuar natyrshëm simptomat e astmës, përzieni 4 pika të këtij vaji me vaj livandoje dhe masazhoni përzierjen në gjoks ose në shpinë.
- Për shëndetin e flokëve, masazhoni pjesë të barabarta të vajit të sherebelës dhe rozmarinës në skalp gjatë dushit.
Efektet anësore
Përdorni vaj sherebele me kujdes gjatë shtatëzënësisë, veçanërisht gjatë tremujorit të parë ose kur e aplikoni në abdomen. Mund të shkaktojë kontraktime të mitrës, të cilat mund të jenë të rrezikshme. Gjithashtu nuk duhet të përdoret tek foshnjat ose fëmijët e vegjël.
Ka pasur pretendime se vaji i sherebelës sclarea i jep shkëlqim syve, përmirëson shikimin dhe mbron humbjen e shikimit për shkak të plakjes së parakohshme ose normale; megjithatë, nuk ka mjaft kërkime për të sugjeruar që vajrat esencialë të përdoren ende në sy. Mund të mos jetë i sigurt dhe duhet të diskutohet më parë me okulistin tuaj.
Shmangni përdorimin e këtij vaji esencial gjatë ose pas përdorimit të alkoolit. Raportet tregojnë se kjo mund të çojë në probleme me gjumin. Kur e përdorni këtë vaj lokalisht, sigurohuni që ta testoni veten për ndjeshmërinë e lëkurës. Aplikoni atë në një zonë të vogël së pari për t’u siguruar që nuk do të keni një reagim negativ.
Ndërveprimet me ilaçet
Hidrati i kloralit dhe heksobarbitoni bashkëveprojnë me vajin e sherebelës. Ato shkaktojnë përgjumje dhe këputje fizike, dhe vaji esencial i sherebelës sclarea rrit efektet e këtyre ilaçeve hipnotike dhe qetësuese. Këto ndërveprime rrisin efektet e dy ilaçeve farmaceutike.
PËRMBLEDHJE
- Vaji esencial i Sherebelës Sclarea nxirret nga bima shumë vjeçare Salvia Sclarea. Është vaji esencial më efektiv për shëndetin hormonal të femrës.
- Ky vaj i fuqishëm ka treguar që lehtëson shqetësimet menstruale, ndihmon në balancën hormonale, lehtëson pagjumësinë, rrit qarkullimin e gjakut, përmirëson shëndetin e zemrës, lehtëson stresin, ndihmon tretjen, përmirëson shëndetin e lëkurës, lufton infeksionet dhe leuçeminë.
- Vaji esencial i Sherebelës Sclarea mund të përdoret në lëkurë, për të pirë, dhe në aromaterapi. Sigurohuni të përdorni vaj esencial 100% të pastër, të çertifikuar bio-organik dhe të prodhuar nga kompani të mirënjohura. Mund të thithet aroma direkt nga shishja, e shpërndarë në ajër me difuzor, i aplikuar në lëkurë ose i përzierë në lëng frutash ose smoothie.
Comments (1)
[…] LEXONI DHE: Përfitimet e Vajit Esencial të Sherebelës Sclarea për dhimbjet menstruale, balancimin hormonal d… […]