VAJI ESENCIAL I PORTOKALLIT – PËRMIRËSONI IMUNITETIN, LËKURËN DHE KUZHINËN TUAJ
Vaji i portokallit, i quajtur ndryshe vaji i portokallit të ëmbël nxirret nga lëkura e portokallit Citrus Sinensi, dhe është përdorur në shekuj për efektin e tij në rritjen e imunitetit.
Përse përdoret vaji esencial i portokallit? Një përgjigje e shkurtër është: për shumë gjëra. Ai shtohet në produktet e bukurisë si locione, shampo, trajtues aknesh dhe larës goje, në sajë të vetive të tija të fuqishme antibakteriale dhe aromës së freskët.
Në shtëpinë tuaj, disa nga pastruesit e kuzhinës dhe banjës përmbajnë vaj esencial portokalli. Gjithashtu, përdoret dhe si shtesë aromatike në pije.
13 PËRFITIMET E VAJIT ESENCIAL TË PORTOKALLIT
- Forcues imuniteti
Në vajin e portokallit gjendet përbërësi limonene, i cili është një monoterpen monociklik, dhe është një mbrojtës shumë i fuqishëm ndaj stresit oksidativ që dobëson sistemin imunitar. Vaji i portokallit ka dhe veti anti-tumorale, pasi monoterpenet kanë treguar të jenë kemio-parandalues mjaft efektivë ndaj rritjes së tumoreve (1)
- Antibakterial natyral
Vajrat esencialë të agrumeve ofrojnë një fuqi të madhe natyrale antimikrobiale. Vaji i portokallit është provuar të parandalojë rritjen e bakterit E.Coli sipas një studimi të publikuar në International Journal of Food and Science Technology në vitin 2009. E.coli është një lloj bakteri i rrezikshëm prezent në ushqimet e kontaminuara si perime dhe mish, dhe mund të shkaktojë reaksione serioze kur gëlltitet, përfshirë bllokim të veshkave dhe deri në vdekje.(2)
Një tjetër studim në Journal of Food Science në vitin 2008 konkludoi se vaji i portokallit mund të pengojë përhapjen e salmonelës, pasi përmban përbërës shumë të fuqishëm antimikrobialë, veçanërisht terpene. (3)
Salmonela është e aftë të shkaktojë reaksione gastro-intestinale, temperaturë të lartë dhe efekte të tjera të rënda në organizëm.
- Pastrues kuzhine dhe anti-insekt.
Vaji i portokallit ka një aromë të ëmbël dhe të freskët që mund ta gjeni në shumë produkte pastruese. Është një alternativë e shkëlqyer për të pastruar banakun ose elektroshtëpiaket, duke shmangur kështu kimikatet e dëmshme që gjenden në shumë produkte pastrimi.
Shtoni disa pika në një shishe spray me ujë për të bërë vetë një pastrues mjaft efikas. Mund ta përdorni vajin esencial të portokallit dhe për të larguar insektet si milingona, furrtare etj.
- Ul presionin e lartë të gjakut
Vaji esencial i portokallit është një kurë natyrale për personat me tension të lartë, duke përmirësuar qarkullimin e gjakut dhe ulur presionin e tij. Një studim i publikuar në 2014 krahasoi efektet e pacientëve që thithin ajër të freskët me ata që thithin vaj esencial portokalli. Nga studimi doli se pacientët që përdorën vajin e portokallit patën reduktim të dukshëm të presionit të gjakut, si atë diastolik, dhe sistolik.(4)
Për shkak të aftësisë përmirësuese të qarkullimit të gjakut, ky vaj është gjetur mjaft i dobishëm dhe për rritjen e dëshirës seksuale, reduktimin e dhimbjes së kokës dhe simptomave që lidhen me PMS (sindroma post-menstruale).
Përdorimi i vajit të portokallit me një vaj tjetër bazë, është i shkëlqyer për masazh në pjesën e barkut, duke përmirësuar qarkullimin..
- Anti-inflamator
Vetitë e fuqishme anti-inflamatore të vajit të portokallit janë studiuar gjerësisht për shkak të efekteve të tij kundër dhimbjeve, infeksioneve dhe sëmundjeve kronike të mushkrive. Në fakt, krahasuar me vajrat e tjerë të mirënjohur anti-inflamatorë si limoni, pisha dhe eukaliptusi, vaji i portokallit ka treguar reduktimin më të madh të inflamacionit. Ky fakt u demonstrua dhe në vitin 2009 në studimin vitro të publikuar në European Journal of Medical Research, i cili investigoi fuqinë antioksidante të disa vajrave esencialë, përfshirë vajin e portokallit. (5)
- Reduktues dhimbjesh
Nëse vuani nga dhimbjet e muskujve, eshtrave apo kyçeve, vaji esencial i portokallit është efektiv në eleminimin e inflamacioneve që sjellin enjtjet e indeve, duke e bërë një medikament natyral për dhimbjet e eshtrave dhe kyçeve.
Një studim klinik në 2017 vëzhgoi efektet e vajit të portokallit në aromaterapi, në pacientët me fraktura kockash. Studiuesit vendosën pak pika vaj esencial portokalli rreth 20 cm larg kokës së pacientëve, duke e ndërruar vajin çdo orë, dhe u vëzhguan niveli i dhimbjeve të pacientëve si dhe parametrat kryesorë për të paktën 6 orë. Studiuesit dolën në përfundimin: “Aromaterapia me vaj esencial portokalli lehtëson dukshëm dhimbjet, por nuk ka efekt në parametrat kryesorë jetësorë. Megjithatë aromaterapia me vajin e portokallit mund të përdoret si një trajtim shtesë në këta pacientë (6)
Vaji esencial i portokallit përmirëson humorin dhe ju ndihmon për një gjumë më të mirë kur keni dhimbje. Masazhoni mee vajin esencial të portokallit të përzierë me një vaj bazë kur keni dhimbje ose enjtje muskujsh për të lehtësuar inflamacionin.
- Qetëson ankthin dhe përmirëson humorin
Vaji i portokallit është provuar që është qetësues. Aromaterapistët dhe mjekësia tradicionale e kanë përdorur prej shekujsh këtë vaj si një antidepresant natyral. Për shkak të vetive anksiolitike dhe reduktimit të simptomave të stresit, thithja me nuhatje për pesë minuta i këtij vaji ndryshon humorin, rrit motivimin, relaksimin dhe qartësinë mendore.
Një studim i botuar në 2014 në Journal of Complimentary Therapies of Medicine tregon se stimulimi olfaktiv duke përdorur vajin e portokallit dhe të trëndafilit përmirëson qetësinë fizike dhe mendore. Ky studim investigoi efektet e këtyre dy vajrave në aktivitetin e korteksit prefrontal të trurit në 20 femra pjesëmarrëse, duke parë nivelin e stimulimit dhe relaksimin.
Pasi gjysma e pjesëmarrëseve në test u ekspozuan në difuzorin e vajit të portokallit dhe trëndafilit për 90 sekonda, ato përjetuan një ulje domethënëse të përqëndrimit të oksihemoglobinës në korteksin prefrontal të djathtë të trurit, krahasuar me grupin tjetër, duke rezultuar në një rritje të qetësisë dhe relaksit. (7)
Një tjetër studim i publikuar në 2014 tregoi si aromaterapia me vaj esencial portokalli është “një mënyrë e thjeshtë, jo e kushtueshme, joinvazive dhe shumë efektive për të reduktuar ankthin gjatë punës”. (8)
Përhapja në ambjentin e shtëpisë, të vajit të portokallit ose hedhja e disa pikave në shampo apo dhe thithja e aromës direkt nga shishja, ka treguar që përmirëson humorin dhe sjell qetësi fizike dhe mendore.
Vaji esencial i portokallit ndikon direkt në qëndrat e trurit që përgjigjen për anën emocionale.
- Gjumë më i mirë.
A është vaji esencial i portokallit efektiv për të përmirësuar gjumin? Përfundimisht, po. Është vërtetuar shkencërisht që ky vaj është i jashtëzakonshëm për të përmirësuar humorin në mëngjes, si dhe për të qetësuar nervat pas një dite të lodhshme. Një studim i publikuar në vitin 2015 e përfshiu vajin esencial të portokallit në listën e vajrave të dobishëm për pagjumësinë. (9)
Përdorni vajin esencial të portokallit para se të flini, për një gjumë të rehatshëm.
- Shërues i lëkurës
Ju mund të përdorni vajin esencial të portokallit për lëkurën. Agrumet janë të pasura me vitaminë C, e cila mbron dhe shëron lëkurën. Vaji i portokallit, nxirret nga lëkura e frutit, dhe studiuesit kanë konfirmuar një përmbajtje shumë më të lartë të kësaj vitamine në lëkurën e portokallit se në tulin e tij. (10) Ky vaj është shumë i dobishëm për të luftuar shenjat e moshës në lëkurë si, rrudhat dhe njollat e errëta, si dhe stimulon prodhimin e kolagjenit nga lëkura. (11)
A mund të përdoret vaji esencial i portokallit në lëkurë? Mund të përdorni disa pika në fytyrë, bashkë me një vaj mbajtës si jojoba, argan etj. Për efekte më të mira për shërimin e lëkurës, mund ta përzieni vajin e portokallit dhe me vaj esencial temjani apo të pemës së çajit.
- Lufton aknet
Vaji i portokallit lufton bakteret të cilat krijojnë inflamacion në lëkurë. Ngarkesat bakteriale në lëkurë janë rezistente dhe është mirë të gjendet një zgjidhje sa më natyrale për të hequr aknet. (12)
Një sasi të vogël vaji përziejeni me pak vaj kokosi dhe me një tampon pambuku aplikojeni masën në zonën e prekur. Ajo do të qetësoj skuqjen, dhimbjen dhe enjtjen, kështu dhe ju do të shmangni përbërësit kimikë për trajtimin e akneve. Provoni ta miksoni dhe me vajra të tjerë të fuqishëm si vaji i kanellës dhe vaji i mëllagës.
- Larës natyral i kavitetit të gojës dhe mbrojtës i mishrave të dhëmbëve
Për shkak se vaji i portokallit lufton rritjen e baktereve, mund të ndihmoj në mbrojtjen e dhëmbëve dhe gingivave nga infeksioni. (13) Gjithashtu mund edhe të përdoret për lehtësimin e dhimbjes së fytit kur bëhet gargar me ujë dhe kripë.
Mund të shtoni edhe vaj kokosi me disa pika vaj portokalli duke e bërë aromën më të pëlqyer.
- Lufton kancerin
D-limonene, i cili gjendet në mbi 90% të vajit të lëkurës së portokallit, është një monoterpen i cili ka aftësi shumë të fuqishme parandaluese, dhe është parë se redukton rritjen tumorale në studimet e bëra në kafshë. Shkencëtarët sygjerojnë se ai bllokon kancerin e gjirit, lëkurës, mëlçisë, mushkrive, pankreasit dhe stomakut. Aftësia për të luftuar qelizat kancerogjene është e mundur falë induksionit të enzimave të metabolizmit kancerogjen faza II , duke rezultuar në detoksifikimin kancerogjen. Monoterpenet gjithashtu ndihmojnë në nxitjen e apoptozës dhe proteinave që stimulojnë rritjen. (14)
Sipas një studimi të vitit 2010 publikuar në Journal of Molecular Nutrition and Food Research, vaji i portokallit ndihmon në stopimin e proliferacionit të qelizave kancerogjene të mushkrive dhe zorrëve. Kjo falë polimetoksiflavoneve hidroksilate (një grup flavonoid i cili gjendet në shumë agrume) që janë të lidhur me modulimin e proteinave kyçe të sinjalizimit që lidhet me përhapjen e qelizave dhe apoptozën.(15)
Një tjetër studim i konkluduar në Indian Journal of Experimental Biology, vaji i portokallit ka treguar se e ndalon rritjen tumorale, sepse rrit funksionet e detoksikimit të mëlçisë, sinjalizimin nervor dhe përtëritjen qelizore. Minjtë që u trajtuan me vaj portokalli për një periudhë prej 5 muaj e gjysëm, shfaqën efekte kemio-parandaluese, të cilat u monitoruan duke testuar peshën e mëlçisë së tyre. Përdorimi i vajit të portokallit rezultoi me ulje të peshës së mëlçisë dhe përmirësime në densitetin e qelizave.(16)
Më poshtë janë të renditura disa metoda të sigurta për përdorimin e vajit të portokallit:
- Aromaterapi: Mund ta shpërndani vajin nëpër shtëpi ose të bëni inhalacion direkt nga shishja. Për të patur një pastrues sa më natyral për dhomën, hidhni disa pika vaj të përzier me ujë në një shishe me spërkatës.
- Lokalisht: Përpara se ta aplikoni vajin e portokallit në lëkurë, duhet ta miksoni me një vaj tjetër, vaj kokosi ose jojoba me raportin 1:1. Mund të shtoni disa pika në shampon e trupit, locion si dhe në vaskë.
- Së brendshmi : Përdorimi së brendshmi i vajit të portokallit rekomandohet vetëm kur vaji është organik, me cilësi të lartë, i garantuar terapeutikisht. Mund ta miksoni me mjatë ose ta hidhni në smoothie. Kjo do të ndihmojë në uljen e fryrjes së barkut dhe do të përmirësoj tretjen si dhe detoksifikimin e turpit nga brenda-jashtë. FDA e njeh atë si të sigurt për konsum (21CFR182.20), por është kështu vetëm nëse blini një vaj të pastër dhe të papërpunuar. Ju merrni atë që paguani, prandaj sigurohuni që të kërkoni një markë të sigurtë!
Si mund të bëni vetë vaj portokalli? Në shtëpi, mund të mbushni një enë më vaj ulliri dhe të hidhni lëkurat e portokallit në të, por kjo nuk do të jetë e njëjtë me vajin esencial të pastër të portokallit.
Histori dhe fakte interesante
Vaji i portokallit ka një shije dhe aromë të fuqishme. Formula e përbërësve aktivë të vajit të portokallit është përgjegjëse për aftësitë e tij shëruese.
Si një metodë natyrale për përmirësimin e funksioneve imunitare dhe luftimin e një sërë sëmundjeve, vaji i portokallit ka qenë një kurë shumë e përdorur në mjekësinë popullore në Mesdhe, Indi dhe Kinë për qindra vjet. Përgjatë historisë, vaji i portokallit ka trajtuar disa gjendje si, problemet me tretjen, lodhja kronike, depresioni, infeksionet e gojës dhe lëkurës, gripi, ftohja dhe libido e ulët.(17)
Efektet anësore e vajit të portokallit
Për shkak se është shumë i fuqishëm, te pak persona, vaji mund të shkaktojë reaksione në lëkurë kur përdoret direkt, kështu që filloni me një sasi të vogël dhe sigurohuni të mos përjetoni skuqje, enjtje apo urtikarie. Mund të beni një patch test, në krahë (jo në zona delikate, si fytyra) realizohet zakonisht, vendosni një sasi të vogël vaji për të parë efektin.
Nëse jeni alergjikë ndaj portokallit ose agrumeve, nuk duhet ta përdorni vajin e portokallit pasi mund të shkaktoj reaksione serioze si së brendshmi edhe së jashtmi. Gjithashtu duhet të bëni kujdes kur e përdorni tek fëmijët lokalisht ose nëse jeni shtatëzënë, në laktacion, ose nëse po merrni medikamente. Vajrat esencialë janë të fuqishëm dhe ndërveprojnë me medikamente, kështu që është mirë të konsultoheni me mjekun tuaj para përdorimit të vajit të portokallit.
Një tjetër gjë të cilën duhet të mos e harroni është se vajrat e agrumeve rrisin efektin e ekspozimit ndaj dritës UV në lëkurë. Kështu që duhet të shmangni ekspozimin direkt e rrezeve UV deri në 12 orë pasi keni aplikuar vajin e portokallit për të mos përjetuar djegie.
Përmbledhje
- Përfitimet nga vaji i portokallit janë të shumta, duke përfshirë: forcimin e sistemit imunitar dhe luftimin e kancerit; agjent natyral antibakterial për pastrim dhe ndihmues i lëkurës; eleminues i insekteve; reduktues i presionit të gjakut; anti-inflamator dhe reduktues i dhimbjes; qetësues i ankthit, nxitjen e humorit dhe nxitës të gjumit.
- Me aromën e këndshme të agrumeve, vaji i portokallit është i lehtë për t’u shijuar dhe përdorur cdo ditë.
- Vaji i portokallit gjendet në shumë produkte të zakonshme shtëpiake, sepse ky vaj është një pastrues natyral shumë i dobishëm, që nga përdorimi dentar e deri tek kozmetika.
- Ju mund ta përdorni vajin esencial të portokallit me cilësi të lartë në mënyrë aromatike, lokale dhe së brendshmi.
- Një vaj i cilësisë së lartë është 100% i pastër, i garantuar terapeutik dhe organik.
Lini një Përgjigje
Për të postuar një koment, duhet të jeni i futur.