SINDROMA E PËRSHKUESHMËRISË SË ZORRËVE
SINDROMA E PËRSHKUESHMËRISË SË ZORRËVE
(kur toksinat dhe infeksionet depërtojnë nga zorrët në gjak)
Ndoshta keni dëgjuar dhe më parë për gjendjen e quajtur Sindroma e Përshkueshmërisë së Zorrëve. Ka shumë simptoma të kësaj sindrome, e cila është veçanërisht e rëndësishme, duke qenë se është e lidhur me dhjetëra sëmundje që lidhen me të.
Duke qenë se shumë njerëz kanë një dietë të varfër, stres kronik, toksina të shumta dhe imbalancë bakterale, shfaqja e përshkrueshmërisë së zorrëve ka arritur në raporte epidemike.
Pse duhet të shqetësohemi nga sindroma e përshkueshmërisë së zorrëve? Së fundmi, kjo sindromë është quajtur “një sinjal i rrezikshëm për sëmundjet autoimune.”
Mund të shërohet përshkueshmëria e zorrëve? Më poshtë do të mësoni katër hapa që rekomandohen për të shëruar këtë problem, të cilat përfshijnë eleminimin e disa ushqimeve nga dieta juaj, marrjen e suplementeve të rëndesishëm dhe ribalancimin e mikroflorës me probiotikë.
Çfarë është Sindroma e Përshkueshmërisë së Zorrëve?
Babai i mjekësisë moderne, Hipokrati, ka thënë: “Të gjitha sëmundjet nisin në zorrë”. Mbi 2000 vjet pas vdekjes së tij, shkencëtarët kanë provuar se kjo është e vërtetë. Prej rreth 3 dekadash, qindra studime shkencore të publikuara në lidhje me imunitetin dhe funksionin e zorrëve, kanë konkluduar se dietat moderne dhe stili i jetës ndikojnë negativisht mbi shëndetin, duke dëmtuar sistemin tonë të tretjes.
Çfarë e shkakton përshkueshmërinë e zorrëve?
Zorrët janë të mbrojtura nga një shtresë e vetme me qeliza epiteliale që janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën me proteina. Simptomat e përshkueshmërisë së zorrëve janë pasojë e kësaj lidhje të dobët. Kjo lidhje është barriera ndërmjet zorrëve dhe qarkullimit të gjakut. Ajo kontrollon çfarë duhet të kalojë në gjak nga sistemi i tretjes. Mbi 40 proteina të ndryshme janë tashmë të njohura që ruajnë shtresën e zorrëve. Lidhjet e këtyre proteinave kanë një funksion preçiz – duhet të ruajnë balancën delikate ndërmjet lejimit të lëndëve ushqyese të hyjnë në gjak, dhe ndalimit të lëndëve të dëmshme të kalojnë në organizëm nëpërmjet gjakut.
Kur ju keni zorrë të përshkueshme, disa pjesëza të vogla të dëmshme si toksina, bakterie dhe antigjene depërtojnë në qarkullimin e gjakut. Kjo paraqet një problem madhor, duke qenë se zorrët janë përgjegjëse për pjesën më të madhe të sistemit imunitar.
Rezultati? Shkaktohen inflamacione akute dhe nganjëherë reaksione autoimune. Një pjesë e sistemit imunitar që shërben për të luftuar infeksionet dhe sëmundjet, nuk vepron, duke çuar në inflamacion kronik, i cili është rrënja e shumicës së sëmundjeve.
Disa nga shkaqet e krijimit të zorrëve të përshkueshme janë:
- Predispozita gjenetike – disa njerëz janë më të predispozuar për të pasur zorrë të përshkueshme për shkak se janë më të ndjeshëm ndaj faktorëve ambientalë që “shënjestrojnë” trupin e tyre duke shkaktuar reaksione autoimune.
- Dieta e varfër – Këtu hyjnë veçanërisht ushqimet inflamatore dhe me alergjenë si sheqernat, ushqimet OMGJ, yndyrnat e rafinuara, aditivët ushqimorë sintetikë dhe bulmetrat konvencionalë.
- Stresi kronik
- Toksinat – të cilat përfshijnë alkoolin dhe drogën. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me mbi 80,000 kimikate dhe toksina çdo vit, por më problekatikët për zorrët janë ntibiotikët, pesticidet, uji i çezmës, aspirina dhe produktet anti-inflamatore farmaceutike. Ju rekomandojmë të përdorni ujë të filtruar, të cilësisë së lartë duke eleminuar marrjen e klorit dhe fluorideve, si dhe të merrni barna bimore për të ulur inflamacionin në trup.
- Disbalanca bakteriale – e quajtur ndryshe dhe disbiosis, që do të thotë një mungesë raporti të drejtë ndërmjet bakterieve të dobishme dhe të dëmshme në zorrë. Studimet kanë treguar se mikrobiota e zorrëve është shumë e rëndësishme për ruajtjen e barrierës epiteliale dhe parandalimin e reaksioneve autoimune.
Sa serioze është Sindroma e Përshkueshmërisë së Zorrëve?
Bazuar në kërkimet shkencore, përshkueshmëria e zorrëve është e lidhur me shumë simptoma dhe gjendje të shëndetit. Disa nga simptomat më të spikatura janë:
- Ulçera gastrike
- Diarreja
- Sindroma e zorrëve të irrituara
- Sëmundjet inflamatore të zorrëve (Crohn, koliti ulçeroz)
- Mbingarkesa bakteriale e zorrëve
- Sëmundja Celiac
- Kanceri ezofagial dhe kolorektal
- Alergjitë
- Infeksionet respiratore
- Inflamacionet akute
- Inflamacionet kronike (si psh. artriti)
- Çrregullimet e tiroideve
- Problemet metabolike që lidhen me obezitetin (dhjamosja e mëlçisë, diabeti i tipit II, problemet me zemrën)
- Sëmundjet autoimune (lupus, skleroza multiple, diabeti i tipit I, Hashimoto etj)
- Parkinsoni
- Sindroma e lodhjes kronike
- Prirje për shtim në peshë ose obezitet
7 simptoma dhe shenja që vuani nga përshkueshmëria e zorrëve
Si mund ta kuptoni që keni zorrë të përshkueshme? Më poshtë do të gjeni 7 simptoma që shfaqen kur keni këtë problem:
- Ndjeshmëri të lartë ndaj ushqimeve
Si pasojë e sulmit të toksinave që hyjnë nga zorrët në gjak, sistemi imunitar i personave me zorrë të përshkueshme prodhon me shumicë antitrupa, të cilat e bëjnë organizmin më të ndjeshëm ndaj antigjeneve të disa ushqimeve (veçanërisht glutenit dhe bulmetit). Në studimet e bëra mbi fëmijët, u gjet lidhje midis zorrëve të përshkueshme dhe alergjisë ndaj ushqimit. Alergjitë besohet se janë një nga simptomat më të zakonshme që tregojnë se vuani nga përshkrueshmëria e zorrëve.
- Sëmundja e inflamacionit të zorrëve
Nga studimet është parë se personat që kanë përshkueshmëri të zorrës së trashë, vuajnë nga sindroma e inflamacionit të zorrëve dhe koliti ulçeroz. Po ashtu, shkencëtarët sugjeruan se sëmundja Crohn mund të bëhet më e rrezikshme nëse keni zorrë të përshkueshme.
Një studim mbi 12 pacientë zbuloi se suplementet e zinkut mund të zgjidhin problemin e shtresës mbrojtëse të dëmtuar të zorrëve.
- Sëmundjet autoimune
Çelësi për të kuptuar si sindroma e përshkueshmërisë së zorrëve mund të shkaktojë një sëmundje autoimune është nëpërmjet kërkimeve të bëra për proteinën e quajtur “zonulinë”. Zonulina është i vetmi modulues fiziologjik i nyjeve ndërqelizore të përshkruara deri më tani, që është i përfshirë në trafikimin e makromolekulave dhe, rrjedhimisht, në bilancin e tolerancës/përgjigjes imune. Kur ka çrregullime të zonulinës veçanërisht në individë të predispozuar gjenetikisht, mund të ndodhin çrregullime autoimune inflamatore dhe neoplastike brenda dhe jashtë zorrëve.
Konsumi i glutenit mund të krijojë probleme duke aktivizuar sinjalizimin e zonulinës pa marrë parasysh shprehjen gjenetike të autoimunitetit, duke çuar në rritjen e përshkueshmërisë së zorrëve nga makromolekulat. “
Një lajm i mirë është që të paktën ky proces është i kurueshëm, duke lehtësuar disa nga simptomat e sëmundjeve autoimune.
- Problemet me tiroidet
Një nga sëmundjet autoimune që mund të shkaktojë sindroma e përshkueshmërisë së zorrëve, është sëmundja Hashimoto. E njohur dhe si “tiroidet kronike”, ky çrregullim shfaqet me hipotiroidizëm (funksion të ulët të gjendrave tiroide), dëmtim të metabolizmit, lodhje, depresion, shtim në peshë dhe një mori shqetësimesh të tjera.
- Përthithje e dobët e elementëve ushqimorë (nutrientëve)
Në shumë pacientë që vuajnë nga përshkueshmëria e zorrëve, janë vërejtur mangësi të mëdha nutrientësh, përfshirë vitaminën B12, magnezin dhe enzimat tretëse. Kjo është arsyeja pse mjekët i trajtojnë këta pacientë me multivitaminë dhe probiotikë.
- Inflamacione të lëkurës
Mbi 70 vjet më parë është përmendur teoria e lidhjes së ngushtë midis zorrëve dhe lëkurës, dhe, si përshkueshmëria e zorrëve mund të ndikojë në probleme të lëkurës, veçanërisht akne dhe psoriazis. Mjekët rekomandojnë shpesh kremra dhe medikamente farmaceutike me një listë të pafundme efektesh anësore (nganjëherë dhe të dëmshme), por tashmë është vërtetuar qartë që shkaku i këtyre problemeve të lëkurës është në zorrë.
- Gjendja shpirtërore dhe autizmi
Sipas një studimi të publikuar në revistën Neuroendocrinology Letters, përshkueshmëria e zorrëve shfaq çrregullime të ndryshme neurokonjitive. Për shembull, rastet inflamatore karakteristike të përshkueshmërisë së zorrëve, shkaktojnë lëshimin e citokineve pro-inflamatore dhe kimikateve të tjera që mendohet se shkaktojnë depresion. Një studim tjetër i publikuar në Nutritional Neuroscience përshkruan”rrethin vicioz midis dëmtimit të sistemit imunitar dhe rritjes së dysbiosis, që çon në përshkueshmëri të zorrëve dhe përbërës neurokimik dhe/ose prodhim dhe përthithje ksenobiotike neurotoksike”.
Autorët përshkruajnë një numër të madh studimesh që mbështesin teorinë e tyre që autizmi mund të lidhet me problemet e mikrobiomes në zorrë, veçanërisht brenda vitit të parë të jetës së njeriut. Tashmë është një hipotezë e shumë e përhapur në shkencën moderne që, sindroma e përshkueshmërisë së zorrëve lidhet ngushtësisht me autizmin.
Si të kuroni sindromën e përshkueshmërisë së zorrëve?
Pasi kemi folur për simptomat e përshkueshmërisë së zorrëve, shkaqet dhe opinionet, le të flasim për testet dhe riparimin e këtij problemi.
Si të bëjmë një test për përshkueshmërinë e zorrëve?
Mund të bëhen disa lloje testesh për sindromën e përshkueshmërisë së zorrëve, të cilat konfirmojnë diagnoën dhe trajtimin e duhur. Testet janë të dobishme për të identifikuar ndjeshmëritë specifike dhe cilat tipe toksinash ose deficenca po kontribuojnë në simptomat tuaja. Këto teste përfshijnë:
- Testi i zonulinës ose laktulozës
- Testi i intolerancës ushqimore IgG
- Testi i feçes
- Testi i defiçensës së acideve organike, vitaminave dhe mineraleve
Çfarë lloj trajtimesh mund të ndiqen?
Hapat bazë që duhet të ndiqen për të rregulluar përshkueshmërinë e zorrëve janë si më poshtë:
- ELEMINONI ushqimet dhe faktorët që dëmtojnë zorrët.
- ZËVENDËSOJINI ato me ushqime të shëndetshme anti-inflamatore (lexojini më poshtë).
- RIPARONI zorrët me suplemente specifike si psh. acidi butirik.
- RIBALANCONI mikrobiomën e zorrëve me probiotikë (baktere të dobishme). Ky është çelësi përse bakteriet në zorrë janë komponenti kryesor i barrierës intestinale. Ato ndihmojnë në rezistencën ndaj kolonizimit të baktereve patogjenike të dëmshme, të cilat konsumojnë nutrientët. Mikrobiota e zorrëve rregullon gjithashtu tretjen dhe përthithjen e nutrientëve dhe furnizon qelizat epiteliale me energji.
Dy nga pyetjet më të zakonshme të njerëzve janë: “Çfarë duhet të ha nëse kam sindromën e përshkueshmërisë së zorrëve?”
Nëse vuani nga këto probleme, MOS konsumoni ushqime të procesuara, përfshirë sheqernat, ushqimet OMGJ, yndyrnat e rafinuara, aditivët ushqimorë sintetikë dhe bulmetrat konvencionalë.
Një dietë e shëndetshme përfshin:
- Lëng mishi & kockash
- Bulmet të pastër (kefir, kos, gjalp dhe djathë natyral)
- Perime të fermentuara si turshi etj, prebiotikë dhe probiotikë.
- Produkte kokosi (vaj kokosi, qumësht kokosi)
- Fara chia, fara lini, fara kërpi
- Ushqime të pasura me omega-3 si vaj lini, salmon, peshk i egër, etj.
- Superfoods dhe erëza
Disa nga produktet për mirëfunksionimin e zorrëve:
Comments (1)
[…] Candida është një tip kërpudhe që kur është në nivelet e duhura në trup, ndihmon në përthithjen dhe tretjen e lëndëve ushqyese. Kur mbiprodhohet, mund të shfaqen simptoma tipike të kandidës. Në aparatin tretës, nëse lihet i pakontrolluar, dëmton paretet e zorrëve dhe depërton në qarkullimin e gjakut. Kjo bën që toksinat të depërtojnë në gjak duke shkaktuar Sindromën e Përshkueshmërisë së Zorrëve. […]